Kumtesa

Sot është 90 vjetori i lindjes së kolosit të madh, At Zef Pllumit

Ndue Ukaj

 

Sot është 90 vjetori i lindjes së kolosit të madh, At Zef Pllumit.

Ky françeskan mendjendritur, me jetën dhe veprën e tij, rrezatoi dashuri, mirësi, humanizëm e kulturë, në një kohë të zymtë, kur gjitha këto ishin të përmbysura. Ai dhe vepra e tij, kështu do të bëhen referencë fundamentale për ta njohur dhe kuptuar terrorin komunizmit në Shqipëri. Dhe jo vetem kaq.
Si feniksi, ai do të shfaqet në qiellin shqiptar, me veprat e tija kuptimplote e shumëfunksionale, për ta luftuar harresën dhe për ta kultivuar kujtesën, duke dëshmuar fuqishëm, se dashuria ngadhënjen mbi urrejtjen dhe keqja mbi të mirën.

I fundit i françeskanëve të mëdhenj, i mbijetoi ferrit komunist, për ta rrëfyer atë dhe për t’na dëshmuar mynxyrat e jetës nën diktaturë.

Detyrimi ndaj veprës së tij dhe mendimit të tij kulturor e shoqëror, është i madh. Një porosi që duhet ta jetësojmë. Një porosi që duhet ta ndjekim.

PSHDK-ja, Demokristianja e Kosovës, është një kronikë shpirtërore e Kosovës për këto dy dekada e më shumë.

Prend Buzhala

11.08.2013            Prishtinë

 

1. Thuhet: për të pasur sukses, një si parakusht i secilës politikës është dhe transformimi shpirtëror, një si katarzë e vërtetë. Ajo e ka kryer këtë transfomim politik, duke ia dhuruar Kosovës zërin e saj nëpër botë. 
A ka ndodhur pas luftës kjo?
Jo, sepse tashmë relievin politik të Kosovës e mbulon fryma utilitare politike. Prandaj ka kaq shumë ethe e ankth të formohen sa më shumë demokristiane, jo për ta bërë këtë transformim të brendshëm, për ta përjetuar katarsis-in, por për ta vrarë pikërisht këtë shpirt transformimi, për ta penguar sa më shumë këtë frymë. Prandaj ka kaq shumë pseudo-mbështetje tek "fryma rugoviane" nga shumë subjekte në pushtet e jashtë pushtetit, pikërisht për ta vrarë këtë frymë me aktet e rënda utilitare. 

2. Demokristianët e Evropës që e kanë themeluar BE-në, janë mbështetur pikërisht te kjo vlerë transformimi, prandaj, sot Evropa është shembulli botëror i modelit demokratik... Ka dhe vende të tjera që kanë zhvillim ekonomik, ndoshta më të lartë se BE-ja, por mungon kjo frymë (strehimi, përkujdesjeje, pounësimi, trajtimi...), prandaj azili nuk kërkohet gjithandej, por në BE... 

3. Nuk është e habitshme, prandaj, përse demokristianët e Kosovës e kanë të vështirë të dekrahohen se janë demokristianë, po qe se nuk futen nën sqetullat e një partie në pushtet!!! Dhe ata që vrapojnë të futen pa asnjë princip nën këto sqetulla, me emra të rinj koalicionesh pushtetore, kanë emrin e mbiemrin e vet. 

4. Shembulli më i mirë dhe i lartë ETIK, se si duhet të mbrohet kjo frymë tejet konstruktive largpamëse transformuese, janë refuzimet e dy të rinjve demokristianë të kreut të saj që të mos pranojnë poste të larta (të paprincipta) ministrore...

Fjala e Kryetarit të PSHDK-së Dr. Ukë Berisha ne Kuvendin e V të Forumit rinor të PSHDK-së

28.04.2013          Prishtinë

Të nderuar demokristian të rinj,
Të nderuar përfaqësues të forumeve rinore
Fort i respektuari Kryetar i të rinjëve të CVP-së së Zvicrres Z. Simon Oberbeck
Te nderuara mjete të informimit

Ky kuvend i rinisë demokristiane, po mbahet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë, në kohën kur Kosova përmbylli një proces politik dhe tani po e fillon etapën vendimtare në procesin e integrimit në familjen perëndimore.

Rini e dashur,
Sot PSHDK-ja është krenare me ju. Sot PSHDK-ja ndjehet më e realizuar dhe e plotësuar me ju, sepse ju me përkushtimin dhe punën tuaj, po ia ktheni dinjitetin kësaj partie. Sot PSHDK-ja ndjehet përgjegjëse para jush, sepse ju jeni ardhmëria e kësaj partie dhe e këtij vendi.

Në Kosovë, kanë ndryshuar realitetet politike dhe tani kërkohen angazhime serioze. Andaj, zëri i juaj është i domosdoshëm. Ne ju inkurajojmë fuqishëm në misionin tuaj dhe tonin: forcimin e filozofisë demokristiane në Kosovë, të bindur se kjo ndihmon dhe përshpejton kauzën tonë shtetërore dhe kombëtare.

Ne shprehim zotimin tonë të palëkundur, që të marshojmë bashkërisht drejt të ardhmes, jo duke e përdorë rininë si një forcë për të bërë punë teknike, por si një forcë serioze, që di t’i ndërrojë realitetet në vend, me energji të reja, me kreativtet dhe invencion rinor.

Prandaj me plot gojën, ju themi faleminderit!

Koha e ka dëshmuar, se rinia është ajo forca kryesore që mban gjallë idealet e një vendi. Edhe në historinë tonë ka ndodhur kështu.

Prandaj, është momenti që gjithë të bashkuar, t’ia kthejmë dinjitetin partisë sonë, e me këtë edhe Kosovës sonë.

Sot, në Kosovë flitet për Kosovën europiane, edhe nga ata që nuk e duan këtë orientim tonin shtetëror e kombëtar, sot në Kosovë flitet për Kosovën europiane, edhe nga ata që synojnë të na ndërrojnë të kaluarën dhe kahjet e orientimit tonë, por PSHDK-ja me të gjitha fuqitë që ka, është e bindur se për Kosovën ekziston vetëm një alternativë, e ajo është Kosova Europiane.

Afërsisht para një vitit, të bindur se vendit tonë i nevojitet një parti e mirëorganizuar demokristiane, ne filluam marshimin e ri, duke iu përgjigjur nevojës që demokristianët në Kosovë të riorganizoheshin. Për këtë, ne kërkuam faktorizimin e serishëm të PSHDK-së. Bashkërisht kemi filluar këtë mision dhe bashkërisht ja kemi arritur.

Kosova, tani gjendet në procesin më të rëndësishëm historik. Pas jetësimit të pavarësisë, platforma jonë kombëtare është rruga e integrimit europian, rruga e rikthimit tonë aty prej ku u shkëputem pa dashje, në familjen e madhe europiane. Ky synim madhor, i cili këto vitet të fundit po çalon shumë, është më lehtë i realizueshëm me demokristianët, me PSHDK-në, si parti e brumosur me vlerat dhe etikën demokristiane, si parti që për dy dekada, ndihmojë Kosovën të afrohej me perëndimin.

Në Kosovë ka shumë parti politike, të majta e të djathta, por asnjë parti si PSHDK-ja nuk e ndërlidhë Kosovën me perëndimin.

Kosova ka realizuar pavarësinë, por rruga e gjatë e integrimeve, ende është një çështje që brengos çdo kënd në Kosovë, prandaj PSHDK-ja me ju, me këtë energji të fuqishme rinore, mund të bëhet një nxitëse e rëndësishme në procesin e afrimit të vendit tonë me Familjen e madhe Europiane, aty ku e kemi vendin dhe prej të cilës rrugë s’guxojmë të shkëputemi për asnjë çast.

Kosova, ka nevojë për një zë demokristian, për filozofinë politike demokristiane, për parimet politike demokristiane, me shumë se për çdo parti tjetër. Kjo parti, në të kaluarën, ishte ndër hallkat themelore për lëvizjen e shume proceseve politike ne vend. Tani, ajo po bëhet pararojë e identitetit europian te shqiptarëve dhe një parti që nxit shqiptarët të ecin me vetëdije të qartë drejt perëndimit, e drejt Europës.

Ne jemi të bindur, se me një angazhim edhe më të madh, duke e nxitur dhe përkrahur pa rezervë rininë, me afrimin e kuadrove PSHDK-ja do të arrijë të jetë një faktor i rëndësishëm në skenën politike të vendit, sepse ajo është një pasuri e pazëvendësueshme për të ardhmen e Kosovës.

Në fund, duke i uruar kuvendit punë të mbarë, ju thërras që të reflektoni me urtësi dhe të veproni sipas ligjeve të demokracisë, duke bërë debate të shëndosha dhe duke zgjedhur sipas parimeve dhe rregullave demokratike. Kështu, e ndihmojmë vetvehten tonë dhe të ardhmen e partisë sonë.

Urime!

Ukë Berisha

Kryetar i PSHDK-së

Demokristianet e Kosovës në gjithë Europën,identifkohen me PSHDK

25.03.2013              Prishtinë

Shtimi i partive demokristiane ka sjellë edhe një manovër për ta amortizuar fenomenin plus të disa votave. Kështu,perderisa Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka bër një kthesë madhe,dhe ka arritur qe ta ktheje elektoratin e saj që kishte 11 vite më heret,tani dalin në sipërfaqe edhe subjekte të rea demokristiane,dhe njerëz të cilet nuk deshirojnë ta shofin një PSHDK të fuqishme,por një dukuri e tillë pritet që të kundërpërgjigjet me emra të njohur nga elektorati demokristian në të gjithë vendin,dhe të demaskohen të gjithë ata që thirren në emër te demokristianve, Pra, do të kemi disa forca të djathta demokristiane të dala nga PSHDK-ja,të cilat sërish po ju bashkangjiten këti subjekti politik I cili ka një histori dhe një traditë 23 vjeqare në skenën politike kosovare, disa grupime “demokristiane” dhe disa grupe,po mundohen që ta hutojn dhe ta përqajnë elektoratin e PSHDK-së,pikrisht ne momentetn kur PSHDK-ja filloi të rikthehet në skenen politike kosovare që nga 26 maji I vitit të kaluar,a është moral politik që disa individ dhe grupacione te vogla,të manipulohen dhe te shantazhohen nga politikat e jashtme,për të ndalur PSHDK-në,dhe për ta penguar atë,jlirisht mund të themi se nuk është ,pasi që politika nuk njef moral ketu tek ne,se po te respektohet pak morali politik,atëhere Kosova nuk ka nevojë për disa parit politike,por ndikimi I paritve të medha,dhe I atyre që nuk e dojnë një parti demokristiane siq është PSHDK-ja,një ndër subjektet e para politike në Kosovë,manipulojn dhe paguajn argat, që një proces të till ta pengojn në të gjitha format.
Vlera dhe politikat demokristiane ndajme te njejtat vlera politike dhe njerezore me partite demokrsitane ne Eurpe,ne kemi këtë objektiv politik per krijimin e nje Kosove si gjithë Europa,dhe keto vlera dhe keto politika nuk duhet të jenë pengesë për askënd.
Kosova ka nevoj për një parti siq është PSHDK-ja,rruga drejt Europës me PSHDK-në,është më e shkurt ,roli I PSHDK-së në politikën Kosovare ka qen shum I madhe,që nga themelimi I saj me 4 nëntor 1990 e deri me sot.
Demokristianet ne Kosovë identifikohen me PSHDK,dhe me as një subjet tjeter politk.
PSHDK-ja së shpejti do te jetë pjes e Partive Popullore Eurpiane,dhe ka bashkpunim dhe kontatk me të gjitha partit demokristiane te Europes :CDU(Gjermani),CVP(Zvicerr),AFP(Austri), UDC (Itali), Kristdemokraterna (Suedi) dhe me shum parti te tjera demokristiane ne Eurpe.
Demokrsitianet e Kosovës ne Europ dhe ne Botë janë të identifikuar vetëm me PSHDK,dhe cdo njeri që e ndin vetën si demokristian,mundë të vij dhe të jetë pjes e saj,sepse vetem aty repsektohet dhe praktikohet velra Demokristiane.

Autori I Shkrimit :Emanuel Demaj-Sekretar i Përgjithshem i PSHDK-së

Fjala pershendetese e Kryetarit te PSHDK-se Dr. Uke Berisha ne Kuvendin zgjedhor te Demokristianeve te rinj ne Gjakove

Fjala pershendetese e Kryetarit te PSHDK-se Dr. Uke Berisha ne Kuvendin zgjedhor te Demokristianeve te rinj ne Gjakove

Të dashur demokrstian të rinj,
Të nderuar të pranishëm
Anëtarë të kryesisë së PSHDK-së


24.02.2013      Gjakovë

 

Ne jemi nisur në një maratonë të re politike, duke kërkuar, ta faktorizojmë PSHDK-në edhe njëherë. Ne jemi nisur në këtë maratonë, të vetëdijshëm se kjo rrugë s’është e lehtë, por është gjithsesi e mundshme. Këtë e dëshmoni ju, këtë e dëshmojnë kuvendet e fundit të demokristianeve të rinj të Kosovës. Kështu kjo ëndërr për çdo ditë po bëhet realitet. PSHDK-ja është faktorizuar dhe për këtë, shembull i mirë jeni ju, rinia demokristiane e PSHDK-së.
Jam i lumtur që ndodhem këtu në Gjakovë, bashkë me ju rini e dashur, ju energjia e pashterrur e Kosovës dhe forca motorike e PSHDK-së, ne po e përmbushim synimin tonë - Faktorizimin dhe fuqizimin e PSHDK-së.
Mbi të gjitha, jam i lumtur që PSHDK-ja, tashmë e ka vitalizuar pjesën më të rëndësishme të vendit, rininë. Kjo rini, me forcën kreative dhe vullnetin e paepur, po i jep PSHDK-së frymën e re, imazhin e ri dhe vrullin e pandalshëm për të ecur të fortë dhe të sigurt, në këtë maratonë të re, për ta rikthyer PSHDK-në aty ku duhet. Ne po i bëjmë këta hapa të sigurtë.
Ky tubim madhështor, i organizuar këtu në Gjakovë, është një sinjal i fuqishëm se vrulli i rinisë së bashkuar rreth nesh, po shpërthen fuqishëm.
Rinia, kjo forcë kreative dhe gjithmonë e gatshme për të qenë në ballë të proceseve politike në Kosovë, ashtu sikur në të kaluarën, edhe njëherë është bashkuar rreth PSHDK-së, për ta forcuar partinë tonë, sepse kështu vetvetiu forcohet e tashmja e Kosovës. Mbi të gjitha, kështu sforcohet e ardhmja e Kosovës. PSHDK-ja ka nevojë për ju, për zërin tuaj, për idetë tuaja, për energjinë tuaj. Mirëpo ju s’duhet të harroni asnjëherë, se për ju ka nevojë Kosova, sepse ju i jepni shije idesë për Kosovën europiane.
Ne të gjithë e duam Kosovën si krejt Europa. Kjo fjali, është bërë formulë shqiptare, mirëpo ne jemi ajo forca e vetme e pashkëputur, ajo ura që ka mbajtur gjithmonë gjallë fatin europian të shqiptarëve. Prandaj duhet të mburremi për këtë dhe të vazhdojmë të jemi pararojë e Kosovës europiane. Ne duhet ta themi me mburrje dhe pa hezitim: PSHDK-ja, është parti e vlerave të mirëfillta europiane, sepse ajo bashkëndjen me këto vlera dhe për të, këto vlera politike e kulturore s’janë të huaja.
Ky tubim kaq madhështorë këtu, është një shembull dhe model i mirë, i cili demonstron fuqishëm para të gjithëve, se idealet dhe vlerat demokristiane funksionojnë në Kosovë dhe atë në një nivel të mirë. Këto vlera, janë të bashkuara rreth PSHDK-së. Ne kemi ardhur këtu, pas një rruge të mundimshme. Mirëpo, duke e ditur nga kemi ardhur e si kemi ardhur, sigurisht jemi të gatshëm bashkë me ju ta çojmë përpara këtë parti, të bindur se kështu në Kosovë rikthehet ajo frymë që i ka munguar vendit: fryma demokrsitiane.

Të dashur demokristian,
Ky kuvend i organizuar mirë këtu, është një sinjal i fuqishëm se zëri dhe influenca e filozofisë politike demokristiane në Kosovë po forcohet. Ne kështu, të organizuar mirë dhe të mobilizuar, e shkurtojmë vizionin e vendit tonë për të qenë pjesë e familjes së madhe perëndimore.
Në fund, duke ju përgëzuar për këtë organizim, ju shprehim mbështetjen tonë të fuqishme.
Urime!
Dr. Ukë Berisha, Kryetar i PSHDK-së

Fillimet e Partisë Demokristiane datojnë që në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar

Zonja dhe zotërinj, mysafir të nderuar


Është kënaqësi e veçantë që me rastin e këtij jubileu të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 22-vjetorit të formimit të PSHDK-së, të ju përshëndes në emër të Kryesisë së PSHDK-së dhe në emrin tim personal.

1. Fillet e demokristianes ndërshqiptarë

Fillimet e Partisë Demokristiane datojnë që në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar. Fillimi i organizuar politik ishte grupimi “Ora e Maleve” i krijuar në Shkodër nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Me 17 shkurt 1945 u krijua organizata “Bashkimi Shqiptar”, në krye të së cilës u zgjodh Patër Gjon Shllaku. Partia Demokristiane, me këtë emërtim, u krijua për herë të parë me 27 prill 1945, nën drejtimin e Arqipeshkvit metropolitan monsinjor Gaspër Thaçit. Në këtë mbledhje, u zgjodhën dhe drejtuesit e Demokristianes: kryetar u zgjodh Monsinjor Gaspër Thaçi, nënkryetar patër Anton Arapi dhe monsinjor Vincens Prenushi. Partia Demokristiane në këtë kohë ishte e vetmja parti politike që ndante të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate dhe demokristiane europiane. Për shkak të këtij misioni politik të Partisë Demokristiane regjimi komunist ndoqi, arrestoi, persekutoi dhe dënoi me ashpërsi të gjithë themeluesit, drejtuesit dhe mbështetësit e lëvizjes demokristiane.

2. Fillet e demokristianes në Kosovë

Të nderuar pjesëmarrës,
45 vite pas formimit të Partisë Demokristiane në Shkodër dmth para plot 22 viteve filluam mbajtjen e takimeve dhe konsultimeve për formimin e PSHDK-së në Kosovë. Takimet mbaheshin kryesisht në ,,Colegium Cantorum,,. Ishte dilemë e madhe si do të pritej në opinjon kjo Parti Demokristiane. U bënë takime me shumë intelektual, shumica e të cilëve ishin pro formimit, por kishte edhe zëra që ishin të matur në ato momente. Pas shumë takimeve Kryetar i Këshillit iniciativ u zgjodh Prof. Dr. Gjergj Rrapi dhe filluan përgatitjet intensive dhe me 4 nëntor 1990 u mbajt Kuvendi zgjedhor në Gjakovë. Themelimi i PSHDK-së ishte kërkesë e kohës, kishte motive politike por në veçanti ishin ato kombëtare.

Në historinë e pluralizmit politik në Kosovë dita e themelimit të PSHDK-së me 4 nëntor 1990 do të njihet si një ngjarje madhore, ajo u formua vetëm pak muaj pas formimit të LDK-së. E formuar si parti kombëtare shqiptare me parime, vlera, synime dhe tendencë të qytetërimit demokristian evropian, kjo parti gjeti mbështetjen e vet edhe në vlerat, virtytet, traditën historike, kulturore, letrare, qytetëruese, shpirtërore dhe kombëtare shqiptare, të cilat i bënë të mundshme asaj që të shndërrohet në një parti të tolerancës , të paqes, të vërtetës, të sinqeritetit, dialogut, të respektit të ndërsjellë, të ndershmërisë, të pajtimit dhe mirëkuptimit kombëtar, të ndihmës dhe solidaritetit të ndërsjellë, të lirisë njerëzore, qytetare, politike e kombëtare.

PSHDK është parti kombëtare e qendrës së djathtë, që ka lindur nga filozofia mijëvjeçare e rezistencës së pamposhtur shqiptare për liri të njëmendtë shpirtërore, si parakusht të një lirie nacionale, rezistencë e cila gjithmonë ka qenë kombëtare ndaj hordhive, qoftë turke, qoftë sllave. Dhe në këtë rrugëtim orientimi i saj është i përcaktuar qartë për Kosovën shtet të pavarur e demokratik dhe të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë. Dihet mirëfilli në Europën perëndimore se partitë demokristiane në asnjë formë nuk janë parti fetare, por dihet se bazohen në një sistem vlerash politike që ka traditë demokracinë kristiane.

PSHDK-ja është parti që synon zhvillimin e një Kosove demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Ajo mbështetet në ato vlera dhe parime që kanë krijuar e zhvilluar kombin shqiptar gjatë shekujve, në traditën e pasur shqiptare, vlerat dhe virtytet e larta që shqiptarët krijuan e trashëguan brez pas brezi.

3. Rrugëtimi i PSHDK-së në Kosovë
Koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore, e i bazuar në filozofinë politike e kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran e modern të Republikës së Kosovës Presidentit Rugova dhe njeriut më besnik të tij Akademik Mark Krasniqit. Ky koalicion arriti të bëhet partnere e partive si motra në Evropë sidomos CVP në Zvicërr, CDU-së në Gjermani dhe partive të tjera demokristiane e popullore dhe të ndikojë fuqishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet më të larta të diplomacisë së Evropës perëndimore. Ky koalicion arriti të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në gjithë botën dhe të sigurojë mbështetjen e vendeve më të fuqishme të demokracisë botërore, para së gjithash të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së.

Gjatë këtyre 22 viteve, me PSHDK-në morëm pjesë në të gjitha proceset e ecjes së Kosovës përpara, në të gjitha të arriturat e deritashme dhe në të gjitha segmentet e jetës së popullit tonë. PSHDK ka fokusuar fushëveprimtarinë politike, brenda e jashtë Kosovës, në planin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, për lirinë, për demokracinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

PSHDK së bashku me LDK-në ka institucionalizuar shtetin paralel të Kosovës dhe ka qenë forca e dytë parlamentare para luftës së vitit 1999 në Kosovë. Në zgjedhjet 22 majit të vitit 1992 për Kuvendin dhe Kryetarin e Kosovës përfaqësohej me 6 deputet, kurse në zgjedhjet e vitit 1998 në Parlamentin e Republikës së Kosovës kishte 12 deputet.

Mbajtja e Kongresit të USHDK me 2 Dhjetor 1995 në Tiranë, i cili u cilësua nga shtypi i asaj kohe si Lidhja e dytë e Prizrenit, ku për herë të parë u realizua bashkimi politik i trojeve shqiptare. Aty morën pjesë përfaqësuesit nga Presheva, Bujanovci e Medvegja, nga Mal Zi e Maqedonia, nga Kosova e Shqipëria dhe nga e gjithë diaspora. Organizimin dhe financimin e USHDK-së e bëri PSHDK-ja.

Me ndihmën e PSHDK-së Kryetari të saj Ak. Mark Krasniqi do të realizojë ëndrrën jetësore për të sjellë Skënderbeun në Prishtinë e cila sot frymon më lirshëm me heroin tonë kombëtar njashtu siq frymon Roma e Brukseli, Londra e Gjeneva, si frymon Kruja e Tirana.

 

Të dashur demokristian,
Udhëtimi ynë me PSHDK-në ishte i gjatë, puna jonë në faza të caktuara ishte e shkëlqyer, ishim subjekti i dytë me anëtarësi pas LDK-së, por pati edhe dështime, sidomos zgjedhjet e fundit kur për herë të parë mbetëm jashtë parlamentit.

PSHDK-ja, si parti e vlerave të traditës, parti e frymës dhe aspiratës evropiane, si një parti që ka një simbolikë dhe rëndësi të veçantë për vet shoqërinë dhe sistemin politik në Kosovë. Ne jemi dhe do të mbetemi një forcë e respektuar, jo për shkak të moshës, por sepse ne jemi gjithnjë në kërkim të ndryshimit dhe të një realiteti të ri. Ne synojmë konsolidimin e të gjitha arritjeve pozitive të këtyre 22 viteve, të cilat janë pronë e gjithë shoqërisë shqiptare.

4. Rimëkëmbja e PSHDK-së nga Kuvendi i fundit

Kuvendi i fundit zgjedhor i 26.05.2012 është një shpresë e madhe për ndryshime pozitive. Më lejoni t’ju shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time më të thellë, respektin tim të posaçëm për një angazhim të jashtëzakonshëm e dinjitoz gjatë këtyre ditëve, të atyre idealistëve me të cilët formuam PSHDK-në para 22 viteve, sidomos demokristianëve të Zvicrrës për ruajtjen e Partisë edhe përkundër shantazheve të grupeve të caktuara.


E di shumë mirë ç’domethenë të drejtosh me dinjitet një forcë të vogël politike në këto troje, e vetmja në Kosovë që ndan të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate europiane. 22 vite të ekzistimit të PSHDK-së nuk janë pak për një lëvizje historike dhe evropiane që nis me At Gjergj Fishtën e madh, vijon me At Gjon Shllakun dhe i mbijeton diktaturës e torturës komuniste me At Zef Pllumin.

Jemi këtu, për të treguar, se PSHDK-ja do të jetë garancia e sigurt e së ardhmes sonë europiane. Këtë bindje e mbështes mbi idealet që na kanë bashkuar më 4 Nëntor 1990 kur krijuam PSHDK-në, përqafoi ato ideale për të cilat ne ekzistojmë, të cilat janë të pandryshueshme sot dhe në të ardhmen. Na kemi qenë dhe sot jemi martirë të ruajtjes së kësaj doktrine kristiane në këto troje dhe motoja jonë është ,,Për një Kosovë evropiane për një Kosovë si krejt Europa”.

Për ne angazhimi në politikë ishte një mision. Ne kemi deklaruar e deklarojmë se jemi krenarë që dhamë ndihmën tonë në Pavarësinë dhe përparimin e Kosovës.

Do të ndertojmë raporte të mira me të gjitha subjektet të cilat veprojnë në Kosovë e sidomos me ato të djathta dhe do të jemi lokomotiva e cila do të tërhjek Kosoven drejt strukturave Euroatlantike. Shtrirja e Partisë në gjithë Kosovën do të jetë synimi ynë i përhershëm.

5. PSHDK-ja, subjekt i rëndësishëm, urë që ndërlidh Kosovën me Evropën

Zonja dhe zotërinj, qytetarë të nderuar,
PSHDK-ja është subjekt politik që i ka kaluar dy dekada. Gjithnjë ka qenë subjekt politik që ka bartur peshën e përgjegjësisë së vet politike e kombëtare. Duke rrugëtuar me partitë tjera politike, PSHDK-ja ka qenë dhe është subjekt shumë i rëndësishëm, sepse është ura që ndërlidh më së miri Kosovën me Evropën. Ne kemi punuar sa kemi pasur mundësi për të ndritur këtë komb. Ne jemi krenarë për ndihmesën e veprimtarinë tonë që e kemi dhënë në këtë drejtim. Sa ishte gjallë presidenti historik, Ibrahim Rugova, kjo nuancë e rëndësishme kombëtare që përfaqëson PSHDK-ja ka qenë gjithnjë e përfaqësuar në segmentet kryesore institucionale të Kosovës qoftë në nivele lokale qoftë në nivele shtetërore.

Por pas vdekjes së tij, u shemb ky parim i shëndoshë kombëtar përfaqësimi, duke u shembur, kështu, edhe solidariteti i brendshëm kombëtar, edhe ai solidaritet i brendshmëm, ku nuk përfillet më pjesa kombëtare shqiptare e konfesionit të krishterë.

Tani Kosova është edhe në një udhëkryq historik, sidomos përballë bisedimeve me Serbinë. Nuk është punuar në integrimin e brendshëm të qytetarëve, për të krijuar klimë të përshtatshme bashkëpunimi, solidariteti, përfaqësimi dhe zhvillimi - për të gjithë qytetarët e të gjitha etnive. Ne mendojmë që fillimisht, të krijohen kushte të zhvillimit ekonomik, kushte të integrimit të brendshëm të qytetarëve në jetën institucionale, shoqërore, politike e ekonomike dhe vetvetiu edhe problemet tjera janë të zgjidhshme. Prandaj, këto bisedime nuk kanë të bëjnë me zhvillimin e Kosovës, por me krijimin e problemeve të reja për të mbuluar dështimet e moszhvillimit dhe për t'ua zgjatur jetën krimit dhe papërgjegjësisë, qoftë ajo shtetërore apo edhe ndërkobmëtare. Vetvetiu, bisedimet e tilla për ndonjë status të serbëve në veri, do të thotë krijim i konflikteve të reja.

Ju falenderoj për vëmëndjen dhe durimin.

Dr. Ukë Bershia

(Fjala e paraqitur në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në 22-vjetorin e themelimit të PSHDK-së)

Prishtinë, 04 nëntor 2012.

SHEKULLI I PAVARËSISË DHE KUJTESA EURO-SHQIPTARE

SHEKULLI I PAVARËSISË DHE KUJTESA EURO-SHQIPTARE

Shkruan: Prend BUZHALA

(Kumtesë në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në 22-vjetorin e themelimit të PSHDK-së)

 

Shekulli Pavarësisë së Shqipërisë, që po shënohet kudo nëpër trojet etnike shqiptare, vjen me frymë të re historike. Kjo festë iu përket të gjithë shqiptarëve, sepse edhe Flamuri është i të gjithë atyre që e ndiejnë veten shqiptarë. Duke dalë nga një robëri e gjatë pesëshekullore, si dhe duke u përbiruar nëpër luftërat anti-osmane të fillim-shekullit XX, nëpër luftërat ballkanike, nëpër luftërat botërore (të parën e të dytën), si dhe nëpër luftërat e fundit çlirimtare që u zhvilluan në Kosovë, në Luginën e Preshevës e në Maqedoni; duke kaluar nëpër prerjet e thikave e të skalpelëve të vendimeve të diplomacisë ndërkombëtare e evropiane; duke përjetuar diktaturat e egra të shtypjeve nacionale nga njëra anë dhe të shtypjeve totalitare, nga ana tjetër; ky shekull i Pavarësisë dëshmon se nëpër çfarë vështirësish të panumërta  ka kaluar jo vetëm Shqipëria e shpallur e mosvarme, por edhe të gjitha trojet tjera...

 

1.

Shqiptarët e Kosovës, atë Ditë të Shënuar të 28 Nëntorit, gjithnjë e kanë festuar si Festë të Flamurit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Prandaj, është momenti që të përkujtohen edhe ato kryengjarje me krye-emrat e vet, që nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, Isa Boletini a Nikollë Kaçorri, Naimi e Fishta, që nga Asdreni që ia dhuroi tekstin himnit kombëtar e deri te komandantët kryengritës Dedë Gjo Luli që i pari e ringjalli Flamurin kastriotian më 1911, apo luftërat e çetave të Bajo e Çerqiz Topullit, Idriz Seferit e të secilës pjesë të Atdheut ... me këtë frymë kastriotiane janë formuar e mbajtur për 500 vjet shqiptarët, kjo frymë kastriotiane e Flamurit i mban të bashkuar shqiptarët qe një shekull. Prandaj, le ta kuptojnë të tjerët ndjeshmërinë e thellë shqiptare për këtë Flamur, mu ashtu si i këndonte Noli ynë:

 

Flamur që lint Shën Konstandinin,

Pajton Islamn' e Krishterimin,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi.

 

Shqipëria vërtet është një vend i vogël dhe trojet shqiptare nuk përbëjnë kushedi çfarë hapësirash të mëdha, por ky vend ka dhënë gjithnjë emra njerëzish të mëdhenj. Fan Noli përmendi Shën Konsandinin ilir, perandor i perandorisë romake, i cili ngriti qendrën e Konstantinopojës, duke shkuar me flamurin e simbolin e ilirëve, shqiponjën me dy krerë. Konstandini i Madh ishte edhe i pari  që legalizoi krishterimin para 1700 vjetësh,  dhe ka rëndësi të dorës së parë për historinë e Evropës edhe me Ediktin e Tolerancës fetare midis paganëve dhe të krishterëve, e cila si kulturë e tillë e tolerancës, përcillet tradicionalisht tek shqiptarët në valët e reja të historisë e në shekujt që erdhën pas. Ilir ishte edhe Shën Jeronimi që përktheu Biblën dhe ia dha Evropës së krishterë. Ilir ishte edhe Shën Niketë Dardani që kompozoi hymnin kishtar "Te deum laudamus" dhe ky himn sot këndohet anembanë botës së krishterë. Ajo kulturë me rrënjë të lashta na vjen edhe sot si frymë evropiane e respektimit të lirive dhe të drejtave njerëzore. Aty është emri i Justinianit të Madh që ishte themelues i Prishtinës, që i dha emrin e vet jurisprudencës botërore dhe që hyn ndër 100 personalitetet e mëdha botërore. Aty janë krye-emrat e mëdhenj arbërorë e shqiptarë- Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nëna Tereze. I përmendim këta emra, sepse janë edhe shenja të identitetit evropian. Dihet se identiteti evropian krijohet nga tri shtylla: nga bota antike greko-romake, nga krishterimi dhe nga Epoka Moderne që nis me Humanizmin e Renesancën. Këtu, te  këto shtylla, e kanë hisen e vet edhe shqiptarët.

Historikisht emrat Arbëri/ Arbëni u bënë emra të anatemuar nga osmanët, dhe ishin sinonime për përkatësinë evropiane e kulturore (arbërishtja ishte gjuhë liturgjike dhe gjuhë kulture); erdhën emrat shqip, shqiptar dhe Shqipëri/Shqipni, tek u ringjallën nga epoka skënderbejane, si “nocione” të shtresës së ulët, si emra të pavërejtshëm për pushtuesin; emër, tek i cili më lehtë bashkoheshin shumica e popullit, vulgu dhe fisniku arbëror i përndjekur.  Prandaj, emri shqiptar krejtësisht ndryshe e me përmbajtje të reja historike do të tingëllojë në ligjërimet e rilindasve. Emri i ri nacional merr domethënie, rrezatime e konotacione të reja historike; ai do të ringëllojë simbas formulës poetike naimiane:

 

Ti Shqipëri më ep nder, më ep emërin shqipëtar

 

Kjo formulë naimiane, e ngritur mbi mynxyrat historike e mbi golgotat e rënda që po i provonin viset shqiptare nëpër shekuj, po e ringjallte dëshirën e popullit tonë “për t’u kthyer në rrjedhën përparimtare të qytetërimit evropian” e  të identitetit kulturor evropian. Shqipëria po dilte zonjë në vete me pavarësinë e saj, si do të këndonte Fishta:

 

Pesëqind vjet kishin kalue

Çëse të buk'rën ketë Shqipni

Turku e mbate në robnì,

krejt tu' e là t'mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,

e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:

kurr të keqen pa ia dà:

rrihe e mos e lèn me kjà:

me iu dhimbtë, po, minit n' murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!

Po valvitë mbí tokë t' Kastrjotit,

Si valvit dikúr motit;

E dér m' qiellë ushton brohrija,

Kah gerthet fusha e malcija:

Per jetë t' jetës rrnoftë Shqypnija!

Edhè kshtû, mbas sa mjerimit

Mbas sa gjakut e shemtimit,

E p'r inát t' Shkjevet t' Ballkanit

Per gazep t' atij Sulltanit:

Si premtue kisht' Perendija:

Prap zojë m' vedi duel Shqypnija.

Por në kushtet e lirisë, po ky Fishtë, do të shkruante: “Për me kenë Shqipnija shtet përnjimend i pamvarshëm e me u mbajtë në kambë si shtet e me përparue, nuk asht mjaft që shqiptari të jetë shqiptar vetëm me fis -me trup, por duhet që të jetë shqiptar me shpirt: asi shqiptari, që të përbajë kombin e jo vetëm popullin. Me u shoqnue mund të shoqnohen edhe hajnat, por nuk përbajnë as "komb" as "shtet". Po deshëm, pra, që kjo Shqipni e jona të mbahet shtet në kambë e të përparojë, duhet, domosdo, që të dihet këta shqiptarë të Shqipnis a janë shqiptarë, edhe me shpirt, a por vetëm me trup - me gjak e me gjuhë. Çashtja ka nji randësi kryesore për ne, prandej do zhvuillue der n'palcë e - pa dorca. Asht kot që të rrejmë vedin, herë me fjalë të mëdha dykiptimçe, herë me gjysa fjalësh të pa farë kuptimi. (...) A jemi pra, sod më sod, na shqiptarët, mji element i shëndoshë e nji faktor mjaft i fortë, për të mbajtë Shqipninë n'kambë e për t'i dhanë përparim e lulzim për me mujtë me i vjeftë shtetit - Atdheut, ma parë me dalë duhet me dijtë se çka asht Atdheu e mandej këtë Atdhe me e dashtë me gjithë zemër?”

 

Është kështu pikërisht pse pavarësimi e liria kanë përgjegjësitë e veta. Henri Ford do të thoshte: “Në qoftë se paratë janë shpresa juaj për pavarësi, ju kurrë nuk do ta keni atë. E vetmja  siguri e vërtetë pwr njeriun në këtë botë, është t' ket[ rezervimet e veta tw dijes, përvojës, dhe aftësisë.”

 

2.

Shënimi i këtij jubileu shekullor sot, nga ana e demokristianëve, merr edhe një  domethënie  tjetër: pikërisht më 4 nëntor 1990, para 22 vitesh, kur në Prishtinë po formohej PSHDK,  pikërisht më 4 nëntor mesha e kremtuar në varrezat e Shkodrës nga prifti dom Simon Jubani, po shënonte rënien e diktaturës pas një martirizimi të gjatë të Kishës, ashtu sikundër kjo diktaturë kishte shtypur edhe fushat tjera të jetës kombëtare e shoqërore. prandaj, kjo frymë e re, evropianizuese, i jep fytyrë të re edhe këtij kapitulli të ri të Pavarësisë së Shqipërisë, edhe gjithë ngjarjeve që do të pasojnë. Në Kosovë, kjo frymë e re u ndërlidh me vizionin historik të liderit shpirtëror të shqiptarëve, Ibrahim Rugovës, i cili për herë të partë gjatë shekullit XX, e ktheu qerren e Kosovës kah perëndimi dhe ky kthim tek vatra jonë e përbashkët dha frytet e reja, nëpërmes kryengritjes paqësore të atyre viteve dhe nëpërmes luftës çlirimtare të vetëflijimit biblik të jasharëve, të martirizimit të popullit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë dhe të luftës së UÇK-së e të ndërhyrjes ushtarake e politike euro-amerikane e ndërkombëtare. Ky kthim i kishte rrënjët e veta, e ka brenda vetes edhe kontributin e asaj pjese të krishterë shqiptare që ka qenë gjithmonë nuanca më e ndjeshme kombëtare dhe ura lidhëse mes Evropës dhe shqiptarëve. Ky vizion identitar euro-shqiptar po del triumfues mbi të gjitha copëtimet e tjetërsimet identitare, mbi çorientimet e mbi të gjitha turbullirat e ndërgjegjes që e trazojnë shpitin shqiptar. Vetë Evropa, duke i përjetuar dy luftërat botërore, ndryshoi vetveten nga ajo e përparshmja; Evropa e pasluftës së dytë botërore nuk është ajo e para Luftës së Dytë; pikërisht pse i hyri rrugës së realizimit të atij vizionit të Viktor Hygosë për një Bashkësi Evropiane kombesh të lira dhe duke ndërtuar hapësirat e kombeve të lira e të vizionit të lirisë. Ky vizion i tillë i pavarësimit e i Shekullit të pavarësisë shqiptare, është bërë shtysë e re në dekadat e fundit, për të arritur një cak të përbashkët, ku do ta ndienin veten mirë të gjithë: aty ku armiqësitë e djeshme, zënë të shuhen dhe ku ngrihen vlerat e reja të afrimit e afirmimit, ku afrohen kombet e lira, duke i dhënë e marrë njëri-tjetrit dhe ku kufijtë tragjikë të copëtimeve dhe të ndarjes së popujve, tashmë zënë të marrin kuptim të ri, ku mënjanohen izolimet apo mbërthimi i shteteve a kombeve në geto.

 

3.

Te e fundit, aspak nuk është i huaj një afrim a bashkim i natyrshëm i Shqipërisë me Kosovën, duke i hequr krejtësisht kufijtë, qoftë edhe sipas modelit kufitar holandezo-belg, që nuk patën as gjemba e as ndalesa në kufijtë e tyre... E pra, këto ideale, si dhe ky Shekull pavarësie, është edhe amanet i brezave të idealistëve shqiptarë.

 

Prishtinë, 4 nëntor 2012