Erdoganizmi me agjenden e islamit politik po helmon Kosovën

PSHDK-ja është e shqetësuar me ekspansionin neo-otoman që po ndodh aktualisht në Kosovë, edhe me bekimin e liderëve kosovarë. Kosova me vetëdije të plotë po ua hapë dyert politikave turke që të promovojnë agjendën neo-otomane, e cila ka për qëllim shtrirjen e influencës në ish-territoret e Perandorisë Osmane.

2016-04-29

Kosova ka trashëguar kulturën autoktone dhe ka “përthithur” edhe atë europerëndimore! Deklaratat e pamatura dhe mjaft tendencioze të personaliteteve të ndryshme turke, karshi shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti, nuk kanë kaluar pa u vënë re nga opinioni në vendin tonë, por edhe nga mediat prestigjioze ndërkombëtare. 

Në vazhdën e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta të autoriteteve turke në marrëdhëniet e brendshme të Kosovës dhe përcaktimit europerëndimor të popullësisë së saj, është edhe qëndrimi i zëvendëskryeministrit turk Numan Kurtulmush, i cili tha se Kosova ka përthithur në rrënjë kulturën islame. 
Partia Shqiptare Demokristiane shpreh shqetësimin e saj lidhur me këto deklarata, të cilat bien ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës, që vendi ynë definohet shtet sekular, multinacional dhe multikulturor. 

Ne ua bëjmë me dije jo vetëm turqëve, por edhe të gjithë atyre shteteve qëllimkëqija që pretendojnë që në një mënyrë a tjetër të ndërhyjnë në rregullimin e brendshëm të marrëdhënjieve dhe raporteve midis popujve, etnive dhe kulturave të ndryshme në vendin tonë se shqiptarët si popullësi shumicë në Kosovë nuk të do heqin dorë nga trashëgimia e tyre autoktone dhe përcaktimit të “thithjes” së kulturës europerëndimore. 

Siç dihet, Kosova është e banuar kryesisht me shqiptarë të të dyja besimeve monoteiste dhe të etnive të tjera, popullësia e së cilës është e njohur botërisht për tolerancën fetare dhe dallimeve kulturore kundrejt popujve të tjerë. Shqiptarët e Kosovës e kanë të qartë se trashëgimia e tyre kulturore autoktone, e përshtatur me kulturën e shteteve demokratike europerëndimore, janë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në kujtesën e tyre, mënyrën e të jetuarit, por edhe të përcaktimit drejt një të ardhme më të lumtur.Mbijetesa e saj varet nga kultivimi i mëtejmë i vlerave të saj dhe kulturës europiane. 

PSHDK-ja u bën thirrje edhe institucioneve tona politike, kulturore, ekonomike etj. që ndaj provokimeve të këtilla si kjo e zëvendëskryeministrit turk Numan Kurtulmush, por edhe të autoriteteve tjera turke, që kohëve të fundit kanë intensifikuar fushatën kundër popullësisë shqiptare të Kosovës, të jenë këmbëngulës dhe të vendosur në mbrojtjen e parimeve bazë të Kushtetutës, në të kundërten helmimi i opinionit kosovar me qëndrime të tilla të zyrtarëve turq, do të sjellë pasoja të pariparueshme në marrëdhënjet midis popujve që jetojnë në Kosovë dhe brendapërbrenda shqiptarëve.

Zyra për Informim e PSHDK-së