Fjala e Kryetarit Dr. Ukë Berisha në Kuvendin e BD-ve në Gjakovë

E them me përgjegjësi të plotë, se mungesa e zërit të demokristianëve në Institucionet e Kosovës, në Parlamentin e Kosovës, ka dobësuar dukshëm imazhin e vendit. Kosova ka nevojë për parti që kultivojnë frymën e paqes, tolerancës, drejtësisë dhe solidaritetit.

2016-12-11

Fjala e Kryetarit Dr. Ukë Berisha në Kuvendin e BD-ve në Gjakovë

Të dashur vëllezer e motra demokristiane
Anëtarë të kryesisë së PSHDK-së dhe gjithë ju të pranishëm
Të nderuar delegatë

Më lejoni që me një fjalë rasti t’iu përshendes dhe t'iu uroj suksese në punën e këtij kuvendi. Jam i lumtur që ndodhem këtu në Gjakovë, bashkë me ju demokristianë të dashur.

Ne me aktin e bashkimit dhe mbajtjen e kuvendeve të degëve dhe BD-ve në gjithë Kosovën dhe në diasporë po e përmbushim synimin tonë - Faktorizimin dhe fuqizimin e PSHDK-së.

Ne tani jemi në prag të përmbylljes së një viti mjaft të suksesshëm të punës në konsolidimin dhe ristrukturimin e radhëve të partisë sonë e shtrirë pothuaja në të gjitha komunat e Kosovës, sidomos në ato mjedise ku koncentrimi i anëtarëve dhe simpatizantëve tanë është më e theksuar.

Rezultatet e punës sonë janë mjaft evidente kur të merren parasysh kuvendet zgjedhore që janë mbajtur në lokalitete të ndryshme brenda Kosovës dhe në disa qytete në vendet perëndimore. Këto kuvende dhe tubime me qytetarë në terren, si dhe interesimi i madh i tyre për t'i dhënë mbështetje Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës më kanë krijuar përshtypjen se rruga jonë drejt sukseseve të mëdha është e pandalshme. Ky interesim i një numri mjaft të madh, sidomos i të rinjëve, të cilët kanë shprehur dëshirën dhe gatishmërinë që mbi supet e veta të bartin barrën e avansimit të mëtejm të vlerave kombëtare dhe demokratike, të gërshetuara në programin e partisë sonë, është për t'u vlerësuar.

Ne edhe më heret kemi potencuar dhe konsiderojmë se nuk është e tepërt që prapë ta ritheksojmë se, spektrit politik në Kosovë dhe popullit tonë i duhet një parti, e cila artikulon kërkesat dhe synimet tona, gjegjësisht orientimin tonë të paluhatshëm properëndimor.

E them me përgjegjësi të plotë, se mungesa e zërit të demokristianëve në Institucionet e Kosovës, në Parlamentin e Kosovës, ka dobësuar dukshëm imazhin e vendit. Kosova ka nevojë për parti që kultivojnë frymën e paqes, tolerancës, drejtësisë dhe solidaritetit.

Pse po e themi ketë ? 
Kosova e pasluftës po përballet me një fenomen që në deceniet e kaluara ka qenë i panjohur në këto troje. Shfaqja e radikalizmit fetar tek një pjesë e popullsisë së Kosovës, fatbardhësisht në numër të vogël, por fatkeqësisht gjithnjë e në rritje, në dimensionin kombëtar ka krijuar një shije të hidhur në raportet ndërnjerëzore dhe ndërfetare që tradicionalisht kanë qenë të mira, ndërsa në rrafshin ndërkombëtar dëmton imazhin tonë, të njohur në botë për tolerancë ndaj diversitetit kulturor dhe fetar.

Radhitja e Kosovës në krye të listës së shteteve që për kokë banori ka më së shumti persona të involvuar në luftërat në Siri dhe Irak nuk mund të na lë indiferent as ne si qytetarë të Kosovës, por edhe si subjekt politik, ngase pavarësia e Kosovës është e sponzoruar edhe nga shumë veprimtarë të subjektit tonë, të cilët kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre dhe kanë sensibilizuar qendrat e vendosjes për zgjidhjen, dikur të të ashtuquajtures "Nyje e Kosovës" që nënkuptonte angazhimin e personaliteteve të fuqishme botërore për ta ndihmuar popullin tonë për ta fituar lirinë duke u çliruar nga thundra serbe.

Pse duhet potencuar ketë? 
Sepse, ka qarqe të ndryshme, të cilat pas çlirimit bëjnë përpjekie të minimizojnë, ose pse jo edhe ta mohojnë, kontributin e demokristianëve në çlirimin e Kosovës. Ne këtë nuk duhet lejuar, jo vetëm se i bëhet padrejtësi atyre që dhanë gjithçka për lirinë tonë, por edhe për hir të gjeneratës së re, e cila duhet ta di të vërtetën.

Nëse ne jemi të përçarë, ka mundësi që kjo të shfrytëzohet nga armiqtë tanë dhe të fuqizohen forcat antidemokratike dhe antikombëtare dhe ta orientojnë popullin tonë drejt humnerës.

Meqë është aktuale, këtu desha të potencoj dhe të ndërlidhem edhe me rezultatin e fundit të PISA-s, ku nxënësit tanë janë radhitur në tri vendet e fundit nga 70 shtete sa ishin në ketë test, duke iu bashkuar Algjerisë dhe Republikës Domenikane. Pra, cilësia në arsim është në nivelin më të ulët të mundshëm. Asgjë më mire nuk qëndron as shëndetësia në Kosovë. PSHDK-ja ka kuadro të dëshmuara edhe në këto fusha, andaj mund të jap kontributin e saj në ngritjen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi.

Pokështu, një çështje tjetër, që kërkon zgjidhje të shpejtë është papunësia, kjo plagë e rëndë që po na përcjellë me decenie. Kuadrot të cilat po përgatiten në universitetet e ndryshme të Kosovës i duhet vendit më shumë se kurrë më parë. Migrimi i tyre në vendet e Evropës është plagë që duhet sheruar.

Edhe për ketë, me ndihmën edhe të miqve tanë do gjejmë forma që këta të rinj t'i punësojmë këtu në mënyrë që ata të japin kontributin e tyre në vendlindje. Prandaj, këto dhe shumë çështje të tjera kërkojnë zgjidhje. 
PSHDK-ja është alternativa më e mirë dhe adresa për artikulimin e halleve dhe brengave tuaja. Sa më shumë që ofrohen zgjedhjet, ne duhet shtuar angazhimet tona që të korrim rezultate sa më të mëdha.

Është një bindje e fortë tek elektorati se nuk ia vlen më që vota e demokristianit të përfundojë në kutinë e ndonjë subjekti tjetër. Vota e demokristianëve duhet të mbetet në partinë tonë e jo të digjet duke shkuar tek partitë tjera, të cilat nuk kanë dhënë prova se interesohen për zgjedhjen e problemeve tona, përkundrazi kanë abuzuar skajshëm me besimin tonë!

PSHDK-ja tanimë ka hapur dyert për kuadro të reja. Po thellon bashkëpunimin me partitë simotra të Europës, që tani përbëjnë forcën dominuese politike të Europës së Bashkuar, aty ku synojmë të integrohemi edhe ne si shoqëri.

Ky kuvend madhështor, i organizuar këtu në Gjakovë, është një sinjal i fuqishëm se vrulli i demokristianëve të bashkuar rreth nesh, po shpërthen fuqishëm. Kjo është një fuqi e re, është një mbështetje edhe më e madhe, është një besim për një të ardhme të ndritshme, është një besim për fitore të PSHDK-së.

Prandaj, është momenti që gjithë të bashkuar, t’ia kthejmë dinjitetin partisë sonë, e me këtë edhe Kosovës sonë.

Kryetarit dhe kryesisë së BD-ve në Gjakovë e dalë nga ky kuvend madhështorë i uroj suksese dhe do të keni një mbështetje të fuqishme nga Kryesia qendrore në rrugëtimin tonë të përbashkët për të mirën e demokristianëve dhe të Kosovës në përgjithësi.

Urime dhe suksese!
Ju falenderoj për vëmendjen

Gjakovë, 11.12.2016