KOHË PËR REFLEKTIM (NË 10 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS)

Zef MORINA

 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

po ju drejtohem me ketë opinion timin, në mënyrë të veçantë i drejtohem elektoratit demokristianë, të cilët, për më shumë se dy dekada, i përfaqësoj në skenën politike të Kosovës.
Më 17 shkurt të vitit 2008, falë votës Tuaj, unë isha deputet i Kuvendit të Kosovës, së këndejmi dhe i privilegjuar e shumë i nderuar, që pata mundësinë të isha njëri ndër nënshkruesit e Pavarësisë së Kosovës, këtij akti më sublim, të historisë sonë më të re. Ishte ëndrra shekullore e popullit tonë, tash më e bërë realitet, e njëmendësuar, falë gjakut të sa e sa brezave ndër mote. Dhe Ju demokristianë të dashur, dhatë një kontribut të çmuar për arritjen e lirisë dhe shpalljen, bërjen e Kosovës shtet të pavarur. Me këtë, Ju keni shkruar një faqe të ndritur të historisë sonë kombëtare; Ju jeni pjesë e kësaj historie.

2018-02-16

Dhjetë vite ikën mjaft shpejt e, Kosova, me tendencën për t’u zhvilluar gjithnjë e më shumë, rrugëton drejt përmbushjes së amanetit të dëshmorëve tanë për një Kosovë demokratike, të integruar në familjen europiane – njësh me vlerat e qytetërimit perëndimor, të cilit, më shumë se çdo popull tjetër, i dha populli ynë. Në fakt, në themele të këtij qytetërimi e të vlerave të tij, me veprat dhe të bëmat e tyre qëndrojnë ilirët – arbërorët – shqiptarët, si: Konstantini i Madh (me Ediktin e Milanos), Shën Jeronimi (me Vulgatën), Niketë Dardani (me Te Deum-in), Skënderbeu (si mbrojtës i këtij qytetërimi) dhe Nënë Tereza (si shpërfaqja dhe dëshmia më e mirë e këtij qytetërimi, e kësaj vlere). 
Por, a u përmbush amaneti i të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës?
Nëse i analizojmë të arriturat që vendi ynë ka bërë gjatë kësaj decenie të pavarësisë, mund të themi se pritjet kanë qenë më të mëdha; se arritjet janë gati simbolike. Ende le shumë për të dëshiruar zhvillimi ekonomik, ndërkohë që papunësia është gjithnjë në rritje, sikundër edhe dëshira e të rinjve dhe intelektualëve për ta lëshuar vendin, në kërkim të një jete më të mirë e më të dinjitetshme. Luftimi i korrupsionit ende vazhdon të neglizhohet, mbase edhe për faktin se të korruptuarit janë ata që duhet ta luftojnë një dukuri të tillë. Sistemi i shëndetësisë, arsimit dhe drejtësisë kanë degraduar deri në palcë! E gjithë kjo për mungesë të vullnetit politik... “Në një shtet ku gjyqi ka humbur drejtësinë, mjekësia – humanizmin dhe arsimi – cilësinë, ai vend duhet shpëtuar nga mjerimi”, thoshte Ajnshtajni.
Përballë këtyre ngecjeve, Kosova ka shënuar dhe progres gjatë këtyre 10 viteve të pavarësisë: njihet nga 113 shtete. Kjo mbase është e arritura më e madhe që kemi përjetuar. Për këtë falënderojmë e shprehim mirënjohjen dhe konsideratën tonë për miqtë tanë: SHBA-në dhe BE-në. Pa angazhimin e tyre, vështirë të arrihej një gjë e tillë.
Pavarësisht sukseseve modeste që kemi arritur, duhet falënderuar popullin e Kosovës për kontributin e dhënë, si dhe shtetet mike që ndihmuan Kosovën në fusha të ndryshme, pa harruar dhe atë të shtetndërtimit të saj. Ndonëse ndihmesa e miqve tanë vazhdon të jetë e pakursyer, jemi ne ata që shkojmë në kundërshtim të asaj çfarë aspirojmë. Veprimet tona, jo gjithherë janë të matura. Së fundmi, sa nuk u thelluam në një vetëizolim edhe më të madh... Sërish erdhi në shprehje, ajo çka urtësia e popullit mëson: miku i mirë, në ditë të vështira... 
Mbase ngjarjet e fundit, do na bëjnë të reflektojmë të gjithë, në mënyrë të veçantë klasën politike, institucionet e vendit. 
Vendit i duhen njerëz të devotshëm e të përkushtuar në punë; i duhen intelektualë të mirëfilltë, largpamës, vizionarë. Ndryshe, si do arrijmë intregimin dhe anëtarësimin tonë në BE e NATO?! Me krekosje? Me politika kafenesh? Me logjikën e lagjes e të fisit?
Ne si demokristianë, gjithnjë jemi dëshmuar si institucionalistë të përkushtuar për një shtet ku askush s’është mbi ligjin. Ne kemi treguar dhe dëshmuar vizionin dhe filozofinë e qartë të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së.
Sot, në dhjetëvjetorin e pavarësisë, në vend të manifestimit të vlerave, ndiejmë një atmosferë të zymtë, t’mos themi mbytëse. Populli ynë meriton më shumë respekt, më shumë dinjitet; rinia jonë e fëmijët tanë meritojnë më shumë kujdes e më shumë shpresa.
Qytetarë të dashur, pavarësisht dallimeve partiake e çfarëdo dallimesh të tjera qofshin ato, le të mendojmë e punojmë më shumë, në mënyrë që t’i ndryshojmë gjërat në të mirë të vendit tonë. Le ta bëjmë edhe klasën politike që të reflektojë ndryshe, se shteti na përket të gjithëve. Shteti ka nevojë për angazhimet tona të sinqerta dhe të vazhdueshme; ka nevojë edhe për llogaridhënien tonë dhe jo për politikanë që e rrjepin atë. 
Bashkë, do ta bëjmë Kosovën më të zhvilluar, të denjë në çdo aspekt për të qenë anëtare e BE-së dhe NATO-s.
Përvjetori tjetër duhet të jetë ndryshe nga ky i sotmi...
Gëzuar 10 vjetori i shtetësisë së Kosovës!