Kosovë urime dhjetë vjetorin e pavarësisë!

Pavarësia e Kosovës, është ngjarja më madhore në historinë e vendit tonë pas pavarësisë së Shqipërisë

Liria dhe pavarësia e vendit tonë, është realizuar me mund e sakrificë të madhe të popullit të Kosovës dhe fal ndihmës së vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, në krye me SHBA-në dhe BE-në. Kosova u është mirënjohëse pafundësisht këtyre vendeve mike.

 

2018-02-17

Kjo ditë e bekuar, duhet të shërbej si moment reflektimi, që të analizojmë çka kemi bërë gjatë këtyre viteve që ta përmirësojmë jetën tonë të brendshme dhe kështu Kosova të përfundojë njëherë e përgjithmonë kapitullin e vuajtjeve. Kjo ditë duhet të reflektoj tek të gjitha forcat politike në vend, që të ndjekim me vendosmëri idealin e brezave të shumtë, për ta ndërtuar një Kosovë të lirë, të prosperuar dhe të integruar në strukturat euro-atlantike, për një Kosovë si krejt Europa.

Kosova ka nëntërmbëdhjetë vite, prej kur është çliruar nga Serbia dhe dhjetë vite prej kur është bërë shtet. Kjo kohë, do të duhej të ishte e mjaftueshme që Kosova ta qartësonte rrugën e vet dhe të ardhmen e saj, por kjo nuk ka ndodhur. Të izoluar e pa mundësi që të ndryshojë situatën dhe të pafuqishëm që të bëjë diçka konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kosova ka bërë shumë pak në promovimin e shtetësisë së Kosovës në planin ndërkombëtar. Këto dhjetë vite, kemi humbur shansin për liberalizmin të vizave dhe po ashtu kemi krijuar një imazh jo pozitiv para botës perëndimore. Kosova duhet të mësohet njëherë e mirë për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe çdo veprim të jetë në koordinim të plotë me miqtë ndërkombëtarë. Gjithashtu kushdo që të jetë në pushtet në Kosovë duhet që të zbatojë atë që në emër të Kosovës të tjerët më heret kanë marrë obligime dhe përgjegjësi.

Nuk duhet pritur alarmin nga ambasadorët e huaj në Prishtinë apo shtetet përkrahëse të Kosovës, për të kuptuar atë që po ndodhë në vendin tonë. Çelësi i të ardhmes sonë europiane, nuk është në Bruksel, por në zyret e partive politike dhe institucioneve tona që janë përgjegjëse për integrimet e vendit.

Kosova ka proklamuar agjendën europaine dhe rikthimin në familjen e popujve të lirë Europian. Integrimet Europiane nuk duhet vlerësuar luks për shqiptarët, por detyrim për të përmbushur misionin tonë shekullor.

Kosova tanimë është e lirë dhe e pavarur. Kjo liri, është detyrim për ne, që të punojmë me dinjitet, ndershmëri e profesionalizëm në përparimin e vendit tonë.

Ne bashkërisht duhet ta bëjmë Kosovën si krejt Europa.

Dr. Ukë Berisha 
Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës