PShDK:Sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA tronditën gjithë botën demokratike

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës me dhembje dhe pikëllim përkujton 11 shtatorin sot, sikur 15 vjet më parë, kur terroristët islamistë rrëmbyen disa aeroplanë civilë dhe goditën Kullat Binjake në Qendrën Tregtare Botërore, duke vrarë kështu afër tremijë veta.

2016-09-11

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës me dhembje dhe pikëllim përkujton 11 shtatorin sot, sikur 15 vjet më parë, kur terroristët islamistë rrëmbyen disa aeroplanë civilë dhe goditën Kullat Binjake në Qendrën Tregtare Botërore, duke vrarë kështu afër tremijë veta.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tronditën gjithë botën demokratike, e cila kërkoi me ngulm që të luftohet deri në çrrënjosje ideologjia e mbështetur në urrejtje, dhunë, terror e shkatërrim.

Kjo ngjarje e tmerrshme, ku pësuan qytetarë të pafajshëm të të gjitha moshave, nuk lëkundi për asnjë çast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundrazi ato dolën edhe më të fuqishme si në aspektin ekonomik, ashtu edhe ushtarak, duke marrë flamurin e luftës kundër terrorizmit, i cili është një fatkeqësi dhe e keqe e madhe kundër vlerave civilizuese.

PSHDK-ja, sikurse edhe pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, ishin dhe janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kësaj aleate besnike e shtetit të Kosovës dhe aspiratave të popullit tonë. Subjekti ynë mbështet fuqishëm gatishmërinë e Kosovës që përkrah SHBA-ve të jap kontributin e vet në luftë kundër terrorizmit, i cili në vazhdimësi po përpiqet të shkatërrojë çdo të arritur si në SHBA , ashtu edhe në shtetet e Evropës perëndimore.

Edhe pas barbarisë së 11 shtatorit, armiqtë e qytetërimit evroperëndimor përmes akteve të dhunës dhe terrorit në disa shtete të Evropës janë munduar të fusin frikë dhe panik tek qytetarët me qëllim të realizimit të synimeve të tyre për rrënimin e një qytetërimi dhe zëvendësimin me një "qytetërim" tjetër, ndërsa liritë dhe të drejtat e njeriut të vendosen sipas përceptimeve të tyre, ku fanatizmi fetar dhe urrejtja ndaj popujve tjerë do të ishin në preambulën e parë të rregullimit shtetëror e shoqëror të tyre.

PSHDK-ja në vazhdimësi tërheq vëmendjen për kujdesje të shtuar edhe të organeve të sigurisë në shtetin tonë, të cilat, ndonëse kanë dhënë prova se janë këmbëngulëse në luftimin e shfaqjes së çfardo lloj dhune me motive politike, fetare etj. gjithmon ka vend për syçeltësi më të shtuar dhe vigjilencë më të madhe në parandalimin e dukurive që cenojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por edhe sigurinë e shtetit.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës që nga themelimi është përcaktuar për një shoqëri demokratike dhe liberale, ku të drejtat dhe liritë e njeriut të miratuara dhe garantuara me ligjet pozitive të OKB-së të vlejnë për çdo qytetar dhe grupim politik, pa dallim etnie, race etj. sipas shembullit të SHBA-ve, të cilat janë prijëse të promovimit të këtyre vlerave universale. Mirëpo, është kundër çdo lloj keqpërdorimi të kujdoqoftë që në emër të lirive personale apo kolektive të cenojë jetën e qytetarëve dhe rrezikojnë të ardhmen tonë.

Dr. Ukë Berisha 
Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës