PShDK dënon sulmin terrorist në St.Gallen të Zvicrrës

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës me shqetësim po përcjellë zhvillimet, pas një seri sulmesh në shumë vende të Evropës perëndimore edhe për faktin se një numër i madh i qytetarëve tanë me vite të tëra jetojnë dhe punojnë në këto shtete dhe fare lehtë mund të jenë në shënjestër të sulmeve terroriste.

 

2016-08-14

Derisa Gjermania ishte përfshirë nga një valë sulmesh terroriste, një krim i rëndë ka ndodhur sot në orët e pasditës në St.Gallen të Zvicrës, ku një person i identifikuar si Muhamed Riad, i ka vën zjarrin trenit para se të sulmojë udhëtarët. Sipas informacioneve të para, së paku shtatë veta janë lënduar, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë 6 vjeçar, dhe dy të rinj të moshës 17 vjeçare. Disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë nga plagët që u ka shkaktuar sulmuesi.

 

Sipas agjencive të huaja të lajmeve, Organizata terroriste ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zvicra deri më tani ka qenë njëra ndër vendet, është kursyer nga sulmet e tilla dhe konsiderohej më e qeta, krahasuar me vendet e tjera, ku koncentrimi i emigrantëve të huaj është relativisht i madh. PSHDK-ja, dënon ashpër këtë sulm, pavarësisht motivit që mund ta ketë kryer krimin autori dhe kërkon që të ndërmirren masa parandaluese që të mos ndodhin dhe përsëriten raste të ngjashme apo më të rënda. Zvicra është një mike tradicionale e shqiptarëve, e cila në periudha të ndryshme, ka ndihmuar në zhvillimin ekonomik, kurse diasporës sonë u ka ofruar mundësi punësimi si dhe kushte të ndryshme për prezentimin e vlerave tona si dhe ruajtjen e identitetit tonë përmes organizimit dhe financimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore.

 

Qytetarët e Kosovës u janë mirënjohës autoriteteve zvicerane për gjithë kujdesin që tregojnë për fëmijët tanë dhe të rinjtë që ata të integrohen në të gjitha segmentet e shoqërisë së këtij shteti me qëllim që të jenë pjesëtarë të barabartë me banorët e Zvicrës. PSHDK-ja kërkon nga autoritetet udhëheqëse të Kosovës që sa më parë të rris prezencën aty ku ka koncentrim më të madh të diasporës sonë që kjo të mos mbetet vetëm në nivel ambasade apo konzulate, por të ketë një çasje më të madhe në sistemin e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë, gjithnjë në kuadër të ligjeve pozitive që kanë vendet demokratike për pakicat kombëtare. Kjo do t'i ndihmonte dhe ruante fëmijët tanë në diasporë nga indoktrinimi i mundshëm me radikalizëm të çfarëdo ngjyre apo motivi.

 

Zyra për Informim e PSHDK - së