PShDK denon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës denon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, ku sipas informacioneve të para është goditur nga një mortajë dore e tipit "Zola".

2016-08-05

Kuvendi i Republikës së Kosovës është organi më i lartë juridiko-politik, i cili përbëhet nga spektri politik i Kosovës, me deputetë të zgjedhur me votën e lirë të popullit, ku përmes tyre adresohen dhe artikulohen kërkesat e qytetarëve të Kosovës.

PSHDK-ja konsideron se asnjë akt i dhunshëm nuk është i justifikueshëm dhe për subjektin tonë është i papranueshëm. Kosova, ka organet e saj legjitime dhe si shtet demokratik duhet të ndërmarrë të gjitha masat që të mos lejojë përsëritjen e akteve të tilla që për nga mënyra e ekzekutimit ngjajnë në skenarët e tmerrshëm që çdo ditë i shohim në ekranet televizive nga lindja e mesme.

Kosova është një shtet, i cili në një të kaluar jo të largët ka përjetuar tmerret e luftës, ku me ndihmën e aleatëve ndërkombëtar arritëm të çlirohemi nga okupatori serb, andaj çdo skenar që importohet nga vatrat e luftës për zgjedhjen e problemeve dhe mospajtimeve të brendshme, është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

PSHDK-ja kërkon nga organet e rendit që sa më parë të zbulojnë personin apo personat që kryen këtë sulm të shëmtuar dhe akteret të nxirren para drejtësisë!

Zyra për Informim e PSHDK – së