PSHDK përkujton 17-vjetorin e tragjedisë së sulmit terrorist të 11 shtatorit

Aktet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Kullat Binjake në Nju Jork, të sulmeve më vrastare terroriste në tokën amerikane, që u kryen nga një grup rrëmbyesish islamikë radikalë, ku mijëra njerëz humbën jetën, është cilësuar si ngjarja që ndryshoi shumë gjëra në botë.

 

Këto sulme të shëmtuara terroriste që tronditën gjithë botën demokratike, nuk ishin vetem ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerat që ata përfaqësojnë, modelin e frymëzimit për botën e lirë, por ishin sulme kundër lirisë, demokracisë e dinjitetit njerëzor, kundër paqes, sigurisë, bashkëjetesës dhe vlerave të një shoqërie me parime të demokracisë liberale.

 

Ne i bashkohemi sot përkujtimit dhe nderimit të viktimave të këtyre sulmeve terroriste duke u solidarizuar me kombin amerikan, shpëtimtarin e shqiptarëve, me dhimbjen e familjarëve të mbi 3 mijë viktimave nga 70 vende të ndryshme të botës, në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj.

 

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës mbështet koalicionin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit me në krye SHBA, në vendosmërinë e tyre për të mposhtur këtë të keqe globale dhe për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e lirisë e demokracisë.

Zyra për Informim e PSHDK-së

2018-09-11