PShDK: Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit

Dashuria e kombit tonë për këtë ditë, është e pakufishme. Ndër shekuj, përballë Perandorisë otomane që kishte bërë përpjekje ta shuajë kujtesën për Flamurin e Skënderbeut, triumfoi kujtesa popullore që doli më e fortë se një perandori.

 

Dekada e parë e shk XX ringjalli shpresën për liri.

 

Dhe kjo ringjallje ndërlidhet me emrin e Dedë Gjo Lulit e në luftërat e tij çlirimtare kundër Turqisë, ndërlidhet me emrin e priftit luftëtar dom Nikollë Kaçorrit e Luigj Gurakuqit, dhe me të gjithë ata që u flijuan prej shekullit të Skënderbeut e deri më sot.

 

Flamuri ynë ka qenë shenja paprekshme e fisnike e krenarisë së identitetit tonë ilir, arbëror e shqiptar kundër asimilimit aziatik, shenjë e devotshmërisë ndaj Atdheut dhe shenjë që na lidhte me identitetin evropian e me kombet europerëndimore, sepse Evropa gjithmonë na e ka ruajtur dhe nderuar këtë flamur.

 

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu dhe flamuri i tij kuq e zi, po qe se ndërlidhen edhe me krishterimin ilir-arbëror-shqiptar, atëherë qenka vetë Zoti që na thotë: pa Skënderbeun e flamurin e tij, ju nuk jeni shqiptarë!

 

Te Flamuri lidhen edhe kryemra shqiptarë, që nga Skënderbeu, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri... e deri te Ibrahim Rugova e Adem Jashari!

Dita e Flamurit është festa kryesore shqiptare që na shkëputi prej Azisë e na lidhi me Evropën. Është Dita që i bashkoi shqiptarët e të gjitha besimeve e krahinave rreth përbashkësisë shqiptare.

 

Në përvjetorin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët, 28 nëntori i vitit 2018 i gjen shqiptarët më të arrirë se kurrë dhe në rrugë të drejtë për t’u bërë një në Evropën e Bashkuar.

 

Në vitin e themelimit të ushtrisë, lidhshmëria e mëtejmë me shqiptarët kudo që jetojnë në rajon e faktorizon kombin tonë në element konstruktiv dhe kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

 

Ne bashkë do të punojmë drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta, integrimit të vendeve tona në NATO dhe Bashkimin Evropian.

 

Urimet më të përzemërta për 28 Nëntorin nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovë.

2018-11-28