Historiku i PSHDK-së

1. Fillet e demokristianes ndërshqiptarë
Fillimet e Partisë Demokristiane datojnë që në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar. Fillimi i organizuar politik ishte grupimi “Ora e Maleve” i krijuar në Shkodër nën drejtimin e Luigj Gurakuqit. Me 17 shkurt 1945 u krijua organizata “Bashkimi Shqiptar”, në krye të së cilës u zgjodh Patër Gjon Shllaku. Partia Demokristiane, me këtë emërtim, u krijua për herë të parë me 27 prill 1945, nën drejtimin e Arqipeshkvit metropolitan monsinjor Gaspër Thaçit. Në këtë mbledhje, u zgjodhën dhe drejtuesit e Demokristianes: kryetar u zgjodh Monsinjor Gaspër Thaçi, nënkryetar patër Anton Arapi dhe monsinjor Vincens Prenushi. Partia Demokristiane në këtë kohë ishte e vetmja parti politike që ndante të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate dhe demokristiane europiane. Për shkak të këtij misioni politik të Partisë Demokristiane regjimi komunist ndoqi, arrestoi, persekutoi dhe dënoi me ashpërsi të gjithë themeluesit, drejtuesit dhe mbështetësit e lëvizjes demokristiane.

2. Fillet e demokristianes në Kosovë

45 vite pas formimit të Partisë Demokristiane në Shkodër dmth para plot 22 viteve filluam mbajtjen e takimeve dhe konsultimeve për formimin e PSHDK-së në Kosovë. Takimet mbaheshin kryesisht në ,,Colegium Cantorum,,. Ishte dilemë e madhe si do të pritej në opinjon kjo Parti Demokristiane. U bënë takime me shumë intelektual, shumica e të cilëve ishin pro formimit, por kishte edhe zëra që ishin të matur në ato momente. Pas shumë takimeve Kryetar i Këshillit iniciativ u zgjodh Prof. Dr. Gjergj Rrapi dhe filluan përgatitjet intensive dhe me 4 nëntor 1990 u mbajt Kuvendi zgjedhor në Gjakovë. Themelimi i PSHDK-së ishte kërkesë e kohës, kishte motive politike por në veçanti ishin ato kombëtare.

Në historinë e pluralizmit politik në Kosovë dita e themelimit të PSHDK-së me 4 nëntor 1990 do të njihet si një ngjarje madhore, ajo u formua vetëm pak muaj pas formimit të LDK-së. E formuar si parti kombëtare shqiptare me parime, vlera, synime dhe tendencë të qytetërimit demokristian evropian, kjo parti gjeti mbështetjen e vet edhe në vlerat, virtytet, traditën historike, kulturore, letrare, qytetëruese, shpirtërore dhe kombëtare shqiptare, të cilat i bënë të mundshme asaj që të shndërrohet në një parti të tolerancës , të paqes, të vërtetës, të sinqeritetit, dialogut, të respektit të ndërsjellë, të ndershmërisë, të pajtimit dhe mirëkuptimit kombëtar, të ndihmës dhe solidaritetit të ndërsjellë, të lirisë njerëzore, qytetare, politike e kombëtare.

PSHDK është parti kombëtare e qendrës së djathtë, që ka lindur nga filozofia mijëvjeçare e rezistencës së pamposhtur shqiptare për liri të njëmendtë shpirtërore, si parakusht të një lirie nacionale, rezistencë e cila gjithmonë ka qenë kombëtare ndaj hordhive, qoftë turke, qoftë sllave. Dhe në këtë rrugëtim orientimi i saj është i përcaktuar qartë për Kosovën shtet të pavarur e demokratik dhe të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë. Dihet mirëfilli në Europën perëndimore se partitë demokristiane në asnjë formë nuk janë parti fetare, por dihet se bazohen në një sistem vlerash politike që ka traditë demokracinë kristiane.

PSHDK-ja është parti që synon zhvillimin e një Kosove demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Ajo mbështetet në ato vlera dhe parime që kanë krijuar e zhvilluar kombin shqiptar gjatë shekujve, në traditën e pasur shqiptare, vlerat dhe virtytet e larta që shqiptarët krijuan e trashëguan brez pas brezi.

3. Rrugëtimi i PSHDK-së në Kosovë

Koalicioni shumëvjeçar LDK-PSHDK ishte i mbështetur në vlera njerëzore, e i bazuar në filozofinë politike e kombëtare të njeriut dhe arkitektit të shtetit sovran e modern të Republikës së Kosovës Presidentit Rugova dhe njeriut më besnik të tij Akademik Mark Krasniqit. Ky koalicion arriti të bëhet partnere e partive si motra në Evropë sidomos CVP në Zvicërr, CDU-së në Gjermani dhe partive të tjera demokristiane e popullore dhe të ndikojë fuqishëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në qarqet më të larta të diplomacisë së Evropës perëndimore. Ky koalicion arriti të ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës në gjithë botën dhe të sigurojë mbështetjen e vendeve më të fuqishme të demokracisë botërore, para së gjithash të SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së.


Gjatë këtyre 22 viteve,  PSHDK-ja  mori pjesë në të gjitha proceset e ecjes së Kosovës përpara, në të gjitha të arriturat e deritashme dhe në të gjitha segmentet e jetës së popullit tonë. PSHDK ka fokusuar fushëveprimtarinë politike, brenda e jashtë Kosovës, në planin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, për lirinë, për demokracinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

PSHDK së bashku me LDK-në ka institucionalizuar shtetin paralel të Kosovës dhe ka qenë forca e dytë parlamentare para luftës së vitit 1999 në Kosovë. Në zgjedhjet 22 majit të vitit 1992 për Kuvendin dhe Kryetarin e Kosovës përfaqësohej me 6 deputet, kurse në zgjedhjet e vitit 1998 në Parlamentin e Republikës së Kosovës kishte 12 deputet.

Mbajtja e Kongresit të USHDK me 2 Dhjetor 1995 në Tiranë, i cili u cilësua nga shtypi i asaj kohe si Lidhja e dytë e Prizrenit, ku për herë të parë u realizua bashkimi politik i trojeve shqiptare. Aty morën pjesë përfaqësuesit nga Presheva, Bujanovci e Medvegja, nga Mal Zi e Maqedonia, nga Kosova e Shqipëria dhe nga e gjithë diaspora. Organizimin dhe financimin e USHDK-së e bëri PSHDK-ja.

Me ndihmën e PSHDK-së Kryetari të saj Ak. Mark Krasniqi do të realizojë ëndrrën jetësore për të sjellë Skënderbeun në Prishtinë e cila sot frymon më lirshëm me heroin tonë kombëtar njashtu siq frymon Roma e Brukseli, Londra e Gjeneva, si frymon Kruja e Tirana.

Udhëtimi ynë me PSHDK-në ishte i gjatë, puna jonë në faza të caktuara ishte e shkëlqyer, ishim subjekti i dytë me anëtarësi pas LDK-së, por pati edhe dështime, sidomos zgjedhjet e fundit kur për herë të parë mbetëm jashtë parlamentit.

PSHDK-ja, si parti e vlerave të traditës, parti e frymës dhe aspiratës evropiane, si një parti që ka një simbolikë dhe rëndësi të veçantë për vet shoqërinë dhe sistemin politik në Kosovë. Ne jemi dhe do të mbetemi një forcë e respektuar, jo për shkak të moshës, por sepse ne jemi gjithnjë në kërkim të ndryshimit dhe të një realiteti të ri. Ne synojmë konsolidimin e të gjitha arritjeve pozitive të këtyre 22 viteve, të cilat janë pronë e gjithë shoqërisë shqiptare.

4. Rimëkëmbja e PSHDK-së nga Kuvendi i fundit
Demokristianet e dinë  shumë mirë ç’domethenë të drejtosh me dinjitet një forcë të vogël politike në këto troje, e vetmja në Kosovë që ndan të njejtin program dhe vizion politik me familjen e madhe kristiandemokrate europiane. 22 vite të ekzistimit të PSHDK-së nuk janë pak për një lëvizje historike dhe evropiane që nis me At Gjergj Fishtën e madh, vijon me At Gjon Shllakun dhe i mbijeton diktaturës e torturës komuniste me At Zef Pllumin.

PSHDK-ja do të jetë garancia e sigurt e së ardhmes sonë europiane. Këtë bindje demokristianet e mbështes mbi idealet që i kanë bashkuar më 4 Nëntor 1990 kur u krijua PSHDK-ja.PSHDK-ja përqafoi ato ideale për të cilat ne ekzistojmë, të cilat janë të pandryshueshme sot dhe në të ardhmen për një Kosovë evropiane për një Kosovë si krejt Europa.

Për demokristianet angazhimi në politikë ishte një mision.Demokristianet janë krenarë që dhamë ndihmën  për  Pavarësinë dhe përparimin e Kosovës.

PSHDK do të ndertojmë raporte të mira me të gjitha subjektet të cilat veprojnë në Kosovë e sidomos me ato të djathta dhe do të jemi lokomotiva e cila do të tërhjek Kosoven drejt strukturave Euroatlantike.

5. PSHDK-ja, subjekt i rëndësishëm, urë që ndërlidh Kosovën me Evropën
PSHDK-ja është subjekt politik që i ka kaluar dy dekada. Gjithnjë ka qenë subjekt politik që ka bartur peshën e përgjegjësisë së vet politike e kombëtare. Duke rrugëtuar me partitë tjera politike, PSHDK-ja ka qenë dhe është subjekt shumë i rëndësishëm, sepse është ura që ndërlidh më së miri Kosovën me Evropën. PSHDK është krenarë për ndihmesën e veprimtarinë  që ka dhënë për të ndritur këtë komb.